‘Mund të qash e të mbyllesh në vete, bosh e me kurriz nga bota’, postimi i ndjerë i Edi Ramës për të ëmën

Nuk është poezi, edhe pse në pamje të parë duket si e tillë, nuk është peng, edhe pse duket se ka gjurmë malli (nisur edhe nga fotoja shoqëruese), nuk është as mesazh që i dërgon sot, një ditë pasi e përcolli të ëmën për në banesën e fundit, por është një ndjesi e parë mungese e njeriut të shtrenjtë të zemrës që nuk do harrohet.

Kryeministri Rama, vetëm pak minuta më parë, në llogarinë e tij sociale, ka postuar një mesazh të ndjerë për të ëmën, e cila një ditë më parë, u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë që e mundonte prej kohësh.

Për komente, nuk ka vend. Jashtë vrazhdësisë politike, jashtë së përditshmes, jashtë profesionit. Ka vend vetëm për respekt për të ndjerën Anetë.

Mund të derdhësh lot pse iku

Ose mund të buzëqeshësh sepse jetoi

Mund të mbyllësh sytë e të lutesh që të kthehet

Ose mund t’i hapësh e të shohësh gjithçka të ka lënë

Zemra jote mund të jetë bosh sepse nuk e sheh dot më

Ose ti mund të jesh plot me dashurinë që ndave me të

Mund t’ia kthesh shpinën të nesërmes dhe jetosh në të djeshmen

Ose mund të jesh i gëzuar me të nesërmen për çka ishte e djeshmja me të

Mund ta kujtosh atë vetëm për ikjen e saj

Ose mund të kujdesesh për kujtimin e saj që ajo të jetojë në të

Mund të qash e të mbyllesh në vete, bosh e me kurriz nga bota

Ose mund të bësh atë që nëna do të donte:

Të hapësh sytë, të qeshësh, të duash dhe të ecësh përpara…

Edhe në emër familjes sonë lejomëni t’ju falenderoj përulësisht, për praninë tuaj të paçmueshme përmes mesazheve të pafundme e luleve të panumërta, që disi e lehtësuan peshën ndrydhëse të boshllëkut tonë të pangushëllueshëm.

Duke ju kërkuar një ndjesë të thellë për të qenit i pamundur t’ju përgjigjem, ju uroj me shpirt të gjithë atyre që jetojnë me këtë boshllëk, të rrojnë sa më gjatë që ta kujtojnë nënën e tyre dhe të tjerëve që kanë fatin ta kenë pranë yllin e shtëpisë, t’i kenë nënat sa malet dhe t’i gëzohen sa më shumë dritës së tyre, të pakonkurueshme as nga dielli e nga vetë yjet e qiellit.