Lajmi i fundit për vizat: Gjermania pro liberalizimit, por këto vende po e pengojnë

Lajmi i fundit për vizat: Gjermania pro liberalizimit, por këto vende po e pengojnë.

Francën kërkon një vlerësim të ri për të parë nëse Kosova vazhdon t’i përmbushë kushtet apo jo
Presidenca gjermane e Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian mendojnë se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave dhe se liberalizimi duhet të ndodhë. Por, nuk kanë përgjigje të prerë se kur do të mund të jetë në rend dite vendimi për këtë në Këshillin e Bashkimit Evropian si dhe a kanë kërkuar disa shtete anëtare ndonjë raport të ri për përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës.

Nga Komisioni Evropian kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se sa i përket liberalizimit të vizave, “Komisioni Evropian qëndron prapa vlerësimit të dhënë që në korrik të vitit 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret”.

Nga disa burime diplomatike është dëgjuar se disa shtete të cilat hezitojnë të mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën –siç është rasti me Francën – kërkojnë një vlerësim të ri për të parë nëse Kosova vazhdon t’i përmbushë kushtet apo jo. Këto vende kanë disa vërejtje në fushën e sundimit të ligjit dhe disa shqetësime për numrin e azilkërkuesve nga Kosova, i cili, ndonëse është i vogël, megjithatë ekziston, sidomos në Francë.

Parlamenti Evropian po ashtu vazhdon të mbështesë liberalizimin e vizave. Për më tepër, shumë deputetë të Parlamentit Evropian i janë drejtuar Presidencës Gjermane që të vendosë në rend dite dhe të sigurojë që edhe për qytetarët e Kosovës të hiqen vizat. Ata kanë rikujtuar se Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk e gëzon këtë të drejtë.