Hyrja në Prishtinë bëhet me pagesë, do ta paguajnë qytetet e tjera të Kosovës

Shumë shpejt, hyrja me vetura në qendër të Prishtinës do të bëhet me pagesë.

Në katër anët e kryeqytetit, të gjitha automjetet që vijnë nga vendet e tjera, do të duhet të paguajnë hyrjen. Komuna po planifikon që në nëntor të merret një vendim i tillë.

Derisa ai pritet të hyjë në fuqi nga viti i ardhshëm. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se përmes projektit në të cilin parashihet të ndërtohen edhe unazat, parashihet edhe zgjidhja e problemit të trafikut të ngarkuar.

Sipas tij, hyrja me pagesë në kryeqytet, do të eliminojë trafikun, pasi që siç thotë ai zgjerimi i rrugëve nuk është zgjidhje.

“Diku në nëntor fillojmë tash një projekt të ri të cilin jemi para nënshkrimit, ku do të ketë dhe pagesa që besoj do mund ta implementojmë që nga viti tjetër, pagesa për hyrje në kryeqytet. E gjitha kjo me idenë që, po njerëzit kanë nevojë për kerre, por jo edhe bash sa i vozisim na. Prishtina është qytet i vogël, prej skajit në skaj për gjysmë ore mundesh në këmbë me hecë.”, tha Ahmeti për Kanal10.

Ndërkohë ish-asamblisti i Vetëvendosjes, në Prishtinë, Eman Rrahmani, thotë se një vendim i tillë është i jashtëligjshëm. Ai ka thënë se ideja që parkingu në hyrje të Prishtinës të bëhej me pagesë, ka qenë e subjektit të tij politik.